75 Mall Live Search
14:42 / E Mërkurë, 21 Maj 2025 / k.v

Gjobitet vetura zyrtare e policisë që ruan kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun (Video)

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me rastin e pazakontë të ndodhur dje në rrugën “UÇK” në Prishtinë, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës u gjobit nga një patrullë policore për parkim të parregullt.

IndeksOnline mëson se vetura në fjalë është pjesë e njësisë për mbrojtje të afërt të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Policia që kujdeset për sigurinë e kreut të kësaj partie, sipas burimeve, e ndalon shpesh veturën në të njëjtin vend, duke bllokuar një pjesë të rrugës, derisa Abdixhiku të dalë nga zyra e tij.

Ky veprim i patrullës policore – që vendosi njoftimin për gjobë në xhamin e automjetit zyrtar – u mirëprit gjerësisht nga qytetarët, të cilët në rrjete sociale e konsideruan një shembull të barazisë para ligjit.

Ndërkohë, rasti mbetet sinjal i qartë se edhe ata që zbatojnë ligjin duhet t’i përmbahen atij, pa përjashtime, pavarësisht pozitës apo funksionit që mbajnë./IndeksOnline/