75 Mall Live Search
12:27 / E Premte, 23 Maj 2025 / k.v

GLPS-ja mirëpret vendimin për fillimin e heqjes së masave nga Bashkimi Evropian

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mirëpret vendimin e BE-së për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, ndonëse e vonuar. Masat ishin të padrejta, vendosja e tyre ishte gabim, ndërsa lënia e tyre në fuqi për një kohë kaq të gjatë ishte gabim edhe më i madh.

“GLPS-ja ka qenë organizata e vetme që ka monitoruar masat dhe ka publikuar hulumtim mbi to. Sipas vlerësimit tonë masat i kanë kushtuar Kosovës së paku mbi 100 milionë euro në kosto oportune, kryesisht në projekte të IPA-së të dedikuara për sundim të ligjit, demokraci, infrastrukturë etj. Po ashtu, vlen të ceket se ato edhe kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE-së. Më konkretisht, përderisa autorët e sulmit të Banjskës enden të lirë në Beograd dhe takohen me ministra shtetërorë, qytetarët e Kosovës të jenë nën masa të BE”, thuhet në njoftim.

GLPS-ja vlerëson se formimi i institucioneve do të krijonte momentum pozitiv për heqjen e plotë të këtyre masave. Vetëm heqja e plotë e masave do të mund të krijonte vullnet të mirë për përshpejtimin e reformave në rrafshin e  integrimit evropian e sidomos në dialog me Serbinë.

Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së. Fillimi i heqjes së këtyre masave përbën ogur të bardhë dhe shpresojmë që ky është një sinjal pozitiv për rikthimin e balancit në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

GLPS-ja do të vazhdojë monitorimin e masave deri në heqjen e plotë të tyre dhe integrimin evropian në përgjithësi. Shpresojmë se vizita e znj. Kallas përbën një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me BE.