21 tentativa të dështuara – Baraliu: Është emergjencë kombëtare krijimi i institucioneve

Janë bërë me shumë se tre muaj që kur vendi është futur në krizë institucionale. As pas tentativës së 21-të, nuk është arritur konstituimi i Kuvendit.
Tash e disa javë, konstituimi është bllokuar te votimi i fshehtë. Grupet parlamentare po refuzojnë të propozojnë emrat për formimin e një komisioni parlamentar, për votim të fshehtë.
Detyra e këtij komisioni do të ishte mbikëqyrja e votimit të fshehtë për emrin e kryeparlamentarit.
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se në situatën e tanishme është shumë me rëndësi që Gjykata Kushtetuese sa më parë të jap verdiktin e saj për kërkesën e deponuar nga 10 deputetë, rreth përpjekjes për votim të fshehtë në çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Sipas tij, një vendim i shpejt i kushtetueses do të ndryshonte rrjedhjen e procesit.
“Mendoj se gjërat pastaj do të lëviznin”, ka thënë Baraliu për IndeksOnline.
Sifoqoftë, Baraliu vazhdon të insistojë se është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje politike për dalje nga ngërçi institucional, i cili sipas tij, i ka irrituar edhe votuesit e tyre.
“Kjo situatë ka mërzitur dhe ka irrituar edhe votueset e këtyre partive politike. Andaj mendoj që sa më shpejt duhet një marrëveshje mes palëve për dalje nga ngërçi që janë futur”, ka thënë Baraliu për IndeksOnline.
Ai vlerëson se edhe presidentja Osmani duhet të bëjë përpjekje maksimale që t’i bind palët që të arrijnë marrëveshje për dalje nga kjo krizë.
“Është emergjencë kombëtare që presidentja të bëjë përpjekje maksimale për t’i bindur partitë që të arrijnë marrëveshje për dalje nga kjo situatë sepse Kosova po humbë shumë”, thotë Baraliu.
Nëse situata vazhdon e njëjtë, atëherë sipas Baraliut, presidentja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime për të gjitha çështjet duke përfshirë këtu edhe mangësitë që kanë dal nga verdikti i vitit 2014.
Kujtojmë që nesër në ora 11:00, deputetët do të mblidhen për herë të 22-të në përpjekje për të konstituuar Kuvendin. Deri me tani ende nuk ka asnjë sinjal se partitë politike kanë lëvizur nga pozicionet e tyre. /IndeksOnline/