75 Mall Live Search
12:06 / E Martë, 27 Maj 2025 / mp

Cakolli: Si shoqëri civile para Kuvendit kësaj here sigurimi na ndaloi hyrjen

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës pas dështimit të 22-të ka thënë se sigurimi i Kuvendit së bashku me disa kolegë të tij i kanë ndaluar hyrjen në Kuvend për monitorimin e seancës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se nga komunikimi me administratën e Kuvendit, ju është bërë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit të Kuvendit, Avni Deharit.

“Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit.

Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat.

Nga komunikimi me administratën e Kuvendit, na u bë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari.

Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend”, tha Cakolli.