Britania e Madhe nis vaksinimin kundër gonorresë për herë të parë në botë

Britania e Madhe do të ofrojë një vaksinë që fillimisht ishte menduar për parandalimin e meningjitit, e shkaktuar nga një bakter me profil gjenetik të ngjashëm me atë që shkakton gonorrenë.
Për herë të parë në botë, Mbretëria e Bashkuar po zbaton një vaksinë për të parandaluar gonorrenë – por ajo nuk pritet të arrijë te pacientët në Evropën Kontinentale së shpejti.
Kjo vaksinë do të ofrohet nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) për njerëzit në Angli që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me gonorre, pasi një komitet këshillues për vaksinat arriti në përfundimin në vitin 2023 se ajo mund të ndihmojë në uljen e rasteve të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST) në vend.
Në studime, vaksina tregoi një efektivitet që varionte nga 32.7 për qind deri në 42 për qind kundër gonorresë, sipas këtij grupi këshillues. Kjo do të thotë se vaksina mund të ndihmojë në reduktimin, por jo në eliminimin e plotë, të rrezikut të infektimit, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Vaksina, e njohur si 4CMenB dhe e tregtuar nga kompania GSK me emrin Bexsero, nuk ishte krijuar fillimisht për gonorrenë.
Ajo ka qenë e autorizuar për më shumë se një dekadë si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Bashkimin Evropian për parandalimin e sëmundjes meningokokale, e cila shkakton meningjit dhe infeksione të gjakut.
Britania ka rekomanduar që fëmijët të marrin këtë vaksinë që nga viti 2015, dhe më pas e kanë ndjekur edhe Irlanda, Italia, Portugalia, Franca dhe Gjermania.
Mes tjerash, bakteret që shkaktojnë sëmundjen meningokokale dhe gonorrenë janë shumë të afërta nga ana gjenetike.
Të dhëna nga Zelanda e Re dhe vende të tjera tregojnë se vaksina 4CMenB mund të jetë veçanërisht efektive kundër gonorresë, edhe pse një provë e randomizuar në Francë përfundoi se vaksina nuk ishte efektive.
Kjo vaksinë nuk është miratuar për parandalimin e gonorresë në Britani, që do të thotë se programi i NHS do ta ofrojë për përdorim “off-label” (përdorim jashtë indikacionit zyrtar).
Duke filluar nga gushti, meshkujt homoseksualë dhe biseksualë që kanë pasur një SST së fundmi ose që kanë histori me shumë partnerë seksualë do të jenë të kualifikuar për imunizim, me shpresën për të frenuar përhapjen e bakterit.
Anglia regjistroi 85,000 raste të reja të gonorresë në vitin 2023, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1918, sipas NHS.
“Vaksina ka potencialin për të na ndihmuar ta përmbysim këtë situatë,” tha Matt Phillips, president i Shoqatës Britanike për Shëndetin Seksual dhe HIV, në një deklaratë.