75 Mall Live Search
08:46 / E Premte, 30 Maj 2025 / Z S

​Polonia aktivizon sanksionet ndaj Milorad Dodikut

Kreu i Republikës Serbe, pro-rusi Milorad Dodik zyrtarisht nuk lejohet më ta vizitojë Poloninë, pasi sanksionet e shpallura ndaj tij nga Varshava zyrtare, më 12 maj janë aktive.

Polonia nuk ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të tjerë të Republikës Serbe. Në “listën e zezë” është vetëm Dodik, por jo edhe kryeministri Radovan Vishkoviq apo kryetari i Asamblesë së Entitetit Nenad Stevandiq.

“Ju informojmë se të dhënat e presidentit Milorad Dodik tashmë janë përfshirë në listën e të huajve qëndrimi i të cilëve në territorin e Republikës së Polonisë është i padëshirueshëm. Baza ligjore për këtë masë janë rregulloret kombëtare të hyrjes – Ligji për të huajt. Aktualisht, asnjë procedurë e ngjashme nuk është nisur ndaj përfaqësuesve të tjerë të autoriteteve të RS-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Polonisë për Politicki.ba.

Polonia është vendi i pestë evropian që shpall Dodikun person non grata. Britania e Madhe më parë e bëri këtë dhe së fundmi Austria dhe Gjermania.

Varshava njoftoi se sanksionet ndaj Dodikut u vendosën për shkak të veprimeve të tij që minojnë rendin kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës./Indeksonline/