Aktakuzë ndaj avokates dhe përmbaruesit të dyshuar për pazarllëqe me lëndë në emër të gjykatësve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokates Shemsije Shehollit dhe përmbaruesit Isak Islami, të cilët akuzohen për përfshirje në vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitave të tyre zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së një pale të dëmtuar, dyshohet se ka ushtruar ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo e paraparë sipas nenit 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), transmeton IndeksOnline.
Ndërsa, Isak Islami, në cilësinë e përmbaruesit privat, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për përfitim personal dhe për palë të treta, duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 2 të KPRK-së.
Të pandehurit dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm një shumë prej 25 mijë euro, ndërkohë që palës së dëmtuar i është shkaktuar dëm material në këtë vlerë.