75 Mall Live Search
10:26 / E Hënë, 02 Qershor 2025 / k.v

Policia e Prishtinës ekzekuton mbi 230 urdhëresa gjykate dhe sekuestron armë – mbi 4 mijë gjoba trafiku gjatë javës

Policia rajonale e Prishtinës ka zhvilluar një sërë aktivitetesh operative gjatë javës së kaluar, duke realizuar 231 urdhëresa gjykate në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara në gjithë rajonin, transmeton IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar, 62 nga këto urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë përfshirë kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe veprime verifikuese. Personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar, pasi kanë kryer obligimet sipas vendimeve të gjykatës.

Gjatë të së njëjtës periudhë, policia ka sekuestruar 6 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municioni, në kuadër të operacioneve për ruajtjen e sigurisë publike.

Në aspektin e trafikut rrugor, policia ka shqiptuar 4143 masa administrative, për kundërvajtje të ndryshme të kodit të komunikacionit. Nga këto, 687 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe automjeteve me radar mobil.

Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë me angazhim të shtuar për garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimin e ligjit në çdo segment të shoqërisë./IndeksOnline/