Vdekja e turistit anglez në Durrës, arrestohet personi që i dha me qira Jet Ski-në

Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen tragjike të së dielës, ku një turist 34-vjeçar humbi jetën, ndërsa një 31-vjeçare që ndodhej me të përfundoi në spital, pasi ranë në ujë nga një Jet Ski.
Në njoftimin e kësaj të hëne, policia bën me dije se është arrestuar 56-vjeçari L. XH., personi që jepte me qira mjetet lundruese.
Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi nuk kishte pajisur turistët me skafandra mbrojtëse.
Sipas hetimeve paraprake, të dielën, dy turistët anglezë, përkatësisht 34 dhe 31 vjeç, që po lundronin me një Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin dhe kanë rënë në ujë, raporton Euronewsalbania.
Nga verifikimet e ekipit të urgjencës së spitalit, që ndodhej në gatishmëri në port, rezultoi se shtetasi S.O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte ndërruar jetë, ndërsa shtetasja V.B., 31 vjeçe, po ashtu nga Anglia, u transportua menjëherë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore./Indeksonline/