75 Mall Live Search
14:00 / E Hënë, 02 Qershor 2025 / S Z

Ndryshimet e fundit në rekomandimet për vaksinimin kundër COVID-it 19 në SHBA

Sekretari i Shëndetësisë së Shteteve të Bashkuara, Robert F. Kennedy Jr., njoftoi së fundmi ndryshime të rëndësishme në udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lidhur me vaksinimin kundër COVID-it 19.

Sipas këtyre ndryshimeve, CDC-ja nuk rekomandon më vaksinimin për gratë shtatzëna dhe fëmijët e shëndetshëm.

Tani, vaksinimi rekomandohet vetëm për të moshuarit dhe ata me rrezik të lartë për zhvillimin e formave të rënda të COVID-it 19 pas infektimit me virusin SARS-CoV-2, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Këto ndryshime kanë ngjallur shqetësime, veçanërisht pas shfaqjes së një varianti më ngjitës të virusit, të quajtur NB.1.8.1, në SHBA.

Ky njoftim erdhi pak pasi FDA publikoi një deklaratë në revistën “The New England Journal of Medicine (NEJM)”, ku theksohej se programet e vaksinimit duhet të përqendrohen në të moshuarit dhe njerëzit me rrezik të lartë për sëmundje të rënda nga COVID-i 19.

Mjekët Daniel Ganjian, pediatër në Providencën “Saint John’s Health Center” në Santa Monica, dhe Monica Gandhi, specialiste e sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë në San Francisco, komentuan për Medical News Today rreth shqetësimeve më të rëndësishme lidhur me këto ndryshime.

Si ndikojnë këto udhëzime tek gratë shtatzëna?
Një shqetësim është se mosrekomandimi i vaksinës për gratë shtatzëna mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve gjatë shtatzënisë.

Dr. Ganjian shpjegoi se nëse vaksinat nuk rekomandohen më për gratë shtatzëna, ato do të humbin një mbrojtje të rëndësishme kundër formave të rënda të COVID-19, pranimit në njësitë intensive, lindjeve të parakohshme dhe vdekjeve perinatale.

Aktualisht, shoqatat mjekësore si “American College of Obstetricians and Gynecologists” dhe “Society for Maternal-Fetal Medicine” kanë rekomanduar vaksinimin gjatë shtatzënisë për këto arsye.

Dr. Gandhi shtoi se gratë shtatzëna janë relativisht të imunosupresuara dhe për këtë arsye janë në rrezik më të lartë për COVID-19 të rëndë. Ajo tha se do të preferonte që udhëzimet të mos përjashtonin vaksinimin për gratë shtatzëna të shëndetshme.

Çfarë ndikimi kanë këto ndryshime tek fëmijët?
Ndërsa fëmijët e shëndetshëm kanë rrezik më të ulët për COVID-19 të rëndë, infektimi mund të shkaktojë probleme shëndetësore afatgjata.

Dr. Ganjian tha se heqja e rekomandimeve për vaksinimin e fëmijëve rrit rrezikun për sëmundje të rënda, hospitalizim dhe sindromën inflamatore multisistematike (MIS-C), veçanërisht tek ata me sëmundje të tjera shoqëruese.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon vaksinimin për fëmijët mbi 6 muaj, pasi efektiviteti i vaksinës kundër komplikacioneve të rënda është i provuar.

Megjithatë, fëmijët me sëmundje imunosupresive ose me faktorë të tjerë rreziku mund të vazhdojnë të kenë akses në vaksina në raste të veçanta, varësisht nga politikat shëndetësore dhe rregullatorët.

Dr. Gandhi theksoi se fëmijët e shëndetshëm me imunitet të mëparshëm (nga infektimi ose vaksinimi) nuk kanë nevojë për vaksina shtesë, por fëmijët pa imunitet mund të jenë më të ekspozuar ndaj rreziqeve.

Çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për shëndetin publik?
Dr. Ganjian tha se heqja e rekomandimeve të gjera për vaksinimin sinjalizon një ndryshim në vlerësimin e rrezikut, ndoshta për shkak të ndryshimeve në epidemiologji, ashpërsinë e varianteve ose efektivitetin e vaksinës, por kjo mund të rrisë sëmundshmërinë tek grupet vulnerabël.

Dr. Gandhi propozoi që gratë shtatzëna duhet të marrin doza përforcuese për shkak të statusit të tyre imunosupresiv, ndërsa fëmijët me imunitet të mëparshëm mund të mos kenë nevojë për vaksina shtesë nëse zbatohet një qasje bazuar në rrezik.

Ajo shprehu shqetësim edhe për rekomandimin e fundit të FDA për kryerjen e provave klinike të kontrolluara me placebo për vaksinat e reja kundër COVID-19, pasi pjesëmarrësit që marrin placebo mund të mbeten të pambrojtur ndaj sëmundjes së rëndë.

Gandhi theksoi se për pjesëmarrësit vulnerabël, si të moshuarit, krahasimi i vaksinës së re me placebo nuk është etike, pasi ata duhet të kenë mbrojtje të vazhdueshme me vaksina të provuara. /Gazeta Shneta/