Osmani: Kosova, krah për krah me SHBA-në e NATO-n

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ushtrimi shumëkombësh “DEFENDER Europe 2025” është një dëshmi e qartë se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë në krah të aleatëve strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO.
E pranishme në Babaj të Bokës, ku po zhvillohet ky ushtrim ushtarak, Presidentja Osmani tha se ndjeu krenarinë që vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës mund ta ofrojë.
“Sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë. Si Komandante Supreme, pata nderin t’i falënderoj dhe përgëzoj forcat tona për rezultatin e arritur, si dhe aleatët tanë të pathyeshëm, sidomos Divizionin e 28-të të Ushtrisë Amerikane, i cili po e drejton këtë ushtrim historik”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është krenaria e vendit, ndërsa Aleanca me SHBA-në dhe NATO-n është forca e Kosovës.
“E ardhmja jonë është euroatlantike”, përfundoi Presidentja Osmani.