Në mungesë të prokurorit të shtetit, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për mosekzekutim të vendimit gjyqësor

Në mungesë të prokurorit të shtetit, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit A.K., i cili po ngarkohet për mosekzekutim të vendimit gjyqësor.
Gjykatësi i rasti, Fisnik Gashi bëri të ditur se prokurori i shtetit ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt për datën dhe kohën e mbajtjes së seancës së sotme, mirëpo nuk është paraqitur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 3 nëntor 2020, A.K., ngarkohet se prej datës 8 nëntor 2017 (kur aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm) e në vazhdimësi, me dashje refuzon të ekzekutojë aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 24 korrikut 2017, ashtu që i njëjti nuk ia paguan palës së dëmtuar G.M., kompensimin e pagave për të cilën gjë e ka obliguar Gjykata.
Me këtë, A.K., akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 402, par. 1 të Kodit Penal.