Sërish seancë në kuvend, sërish tentohet konstituimi

Për të 26-n herë, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen në seancë për konstituim të kuvendit.
Seanca është njoftuar të fillojë në orë 11:00, raporton IndeksOnline.
Të hënën, rëndom si në seancat paraprake, deputetët dështuan ta zgjidhnin udhëheqësin e ri të kuvendit.
Po ashtu, për herën e shtatëmbëdhjetë radhazi, ata refuzuan formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit.
Kjo formë e votimit, e propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është kontestuar nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetuese procedurën e votimit të fshehtë dhe kanë kërkuar masa të përkohshme, për të ndaluar seancat derisa gjykata të japë një vendim.
Në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, më 2 qershor, këto parti refuzuan sërish të propozonin nga një përfaqësues në komisionin që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë, duke bllokuar kështu procesin./IndeksOnline/