75 Mall Live Search
17:11 / E Mërkurë, 04 Qershor 2025 / Z S

PDK: Zgjedhjet e 9 shkurtit, pikë kthese për vendin – nis përgatitjet për zgjedhjet lokale

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se zgjedhjet e fundit shënuan një pikë kthese për vendin, duke i dhënë fund, sipas tij, monizmit dhe dominimit të një partie të vetme. Ai e cilësoi rezultatin zgjedhor si ndër më të mirët në historinë e partisë, duke e konsideruar atë si sinjal të qartë të qytetarëve për një qeverisje më të matur dhe të përgjegjshme.

Duke vlerësuar kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër të vendit, Krasniqi theksoi stabilitetin e strukturave partiake, programin zhvillimor dhe përkushtimin e anëtarësisë si faktorë kyç në suksesin zgjedhor të PDK-së.

Kryetari i PDK-së kritikoi Qeverinë Kurti për bllokadë institucionale dhe mungesë gatishmërie për bashkëpunim, duke rikujtuar propozimet e PDK-së për zhbllokimin e situatës, përfshirë formimin e një qeverie të re me pjesëmarrjen e opozitës dhe udhëheqjen nga Bedri Hamza.

Ai kërkoi mobilizim të plotë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, me qëllim që PDK të ruajë dhe zgjerojë qeverisjen në komuna. Krasniqi theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së kandidatëve të përkushtuar dhe kompetentë.

Në fjalën e tij, Krasniqi shprehu shqetësim për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si padrejtësi dhe shkelje të parimeve themelore të drejtësisë.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, falënderoi anëtarët dhe strukturat për angazhimin e tyre, ndërsa sekretarja e përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku, theksoi rëndësinë e unitetit dhe përzgjedhjes cilësore të kandidatëve në funksion të suksesit në zgjedhjet lokale./Indeksonline/