75 Mall Live Search
09:32 / E Enjte, 05 Qershor 2025 / FR

Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Agjencia për mbrojtje civile në Gaza thotë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën dhjetë persona më 5 qershor, teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në territorin palestinez.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha për AFP-në se sulmet vdekjeprurëse shënjestruan një zonë ku po strehohen personat e zhvendosur në Han Junis, disa shtëpi në qytetin Gaza dhe në Deir el-Balah.

Ushtria izraelite ende nuk i ka komentuar këto raportime.

Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij, duke thënë se synon të mposhtë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, e që nxiti luftën në Gaza.

Sulmi i paprecedent i Hamasit la të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe grupi palestinez rrëmbeu edhe afro 250 të tjerë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazan e udhëhequr nga Hamasi, të paktën 4.335 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi ofensivën më 18 mars. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës, sipas kësaj ministrie, ka arritur në 54.607. Kjo ministri thotë se shumica e viktimave ishin civilë./REL