75 Mall Live Search
20:49 / E Premte, 06 Qershor 2025 / MSH

Spektakël kuqezi në zemër të Prishtinës!

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me KD Events & Communications dhe Art Motion, sjell transmetimin LIVE të ndeshjes Shqipëri–Serbi në sheshin “Zahir Pajaziti”!

Mbrëmja e 7 qershorit nuk do të jetë një natë si gjithë të tjerat. Përballja më emocionale dhe simbolike e futbollit shqiptar do të kthehet në një përjetim masiv dhe unik për qytetarët e kryeqytetit, me emocion, krenari dhe bashkim kombëtar, në zemër të Prishtinës.

Në një nga hapësirat më ikonike të qytetit, do të vendoset një ekran gjigant LED, zërim profesional dhe skenografi simbolike, që do të shndërrojnë sheshin “Zahir Pajaziti” në tribunën më të madhe shqiptare, aty ku sporti takon identitetin dhe emocionin kolektiv.

Ky organizim vjen si vazhdimësi e përkushtimit për t’i sjellë publikut shqiptar ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare, duke ndërtuar përvoja të paharrueshme rreth vlerave të sportit dhe unitetit.

Transmetimi fillon në orën 20:45 dhe hyrja është e lirë për të gjithë.

Komuna e Prishtinës, KD Events & Communications dhe Art Motion ftojnë opinionin e gjerë dhe të gjithë qytetarët që ta përjetojnë këtë ngjarje si një manifestim të vërtetë të unitetit kombëtar.

Të jemi bashkë. Të brohorasim bashkë. Të fitojmë bashkë.