Ylli i famshëm rrëmben çmimin më të madh në Broadway

Nicole Scherzinger u nderua me çmimin e saj të parë në Broadway gjatë edicionit të 78-të të Tony Awards, të mbajtur në Radio City Music Hall, në New York. Këngëtarja 46-vjeçare, e njohur nga grupi Pussycat Dolls, u shpall Aktorja më e mirë në një musical për interpretimin e saj si Norma Desmond, një yll i rënë i Hollivudit, në musical-in Sunset Boulevard, i bazuar në filmin klasik të vitit 1950 nga Billy Wilder.
E përlotur, artistja u shpreh në fjalimin e saj:
“Kur isha e vogël gjithmonë ndihesha sikur nuk përkasja askund, por ju më keni bërë të ndihem si në shtëpi. Më në fund kam ardhur në shtëpi”.
Ajo falënderoi të fejuarin e saj Thom Evans, duke shtuar: “Ai beson tek unë edhe kur unë harroj të besoj te vetja”.
Në fjalimin e saj, falënderoi gjithashtu zotin, nënën që e solli në jetë në moshën 18-vjeçare dhe që “sakrifikoi gjithçka” për të. Scherzinger u shpreh krenare për rrënjët e saj hawaiane, ukrainase dhe filipinase.