75 Mall Live Search
12:10 / E Hënë, 09 Qershor 2025 / L A

Lewandowski vendos të mos grumbullohet me Poloninë, shkaku i trajnerit

Robert Lewandowski thotë se nuk do të luajë për Poloninë derisa selektor i saj të jetë Michal Probierz për shkak të humbjes së besimit në menaxhmentin e tij.

36-vjeçari nuk u ftua për ndeshjet e qershorit kundër Moldavisë dhe Finlandës, duke preferuar ta pushojë trupin dhe trurin, një përfundim që tha se e kishte nxjerrë së bashku me klubin e tij.

Por tash, futbollisti i Barcelonës tha që s’do t’i përgjigjet më ftesës së Kombëtares derisa trajner të jetë Probierz.

“Duke i marrë parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit në trajnerin, kam vendosur të heq dorë nga luajtja për ekipin kombëtar të Polonisë për aq kohë sa ai të mbetet në krye”, shkroi 36-vjeçari në rrjetin social X.

“Shpresoj që të jem në gjendje të luaj për tifozët më të mirë në botë përsëri”, shtoi Lewa, i cili i ka zhvilluar 158 ndeshje me Kombëtaren dhe i ka realizuar 85 gola, një rekord absolut për Poloninë.

Probierz e mori në dorë Poloninë që nga viti 2023, kur e kishte zëvendësuar Fernando Santosin, pasi paraprakisht e kishte drejtuar ekipin U-21.

52-vjeçari e kishte udhëhequr Poloninë në Euron 2024, por ekipi i tij nuk e fitoi asnjë ndeshje në atë turne duke u eliminuar në fazën e grupeve.

Polonia e mposhti Moldavinë 2:0 në miqësoren e së premtes.

Lewandowski nga ana e tij mungoi në ndeshjet më të rëndësishme të Barcelonës, me të cilën megjithatë i shënoi 42 gola në 52 ndeshje në sezonin 2024-25, përfshirë këtu finalen e Copa del Rey kundër Real Madridit dhe ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit.

Ai megjithatë u rikthye në tri ndeshjet e fundit të sezonit, ndërsa e festoi titullin e kampionit të Spanjës me “Blaugrana”.