75 Mall Live Search
15:04 / E Mërkurë, 11 Qershor 2025 / MSH

Ja nga cila datë Arbnor Spahiu dha dorëheqje nga Policia e Kosovës, më pas mori leje qëndrimi në Gjermani

Arrestimi i ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, në Serbi, ka alarmuar opinionin publik.

Kjo per faktin se Spahiu u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për një muaj, me akuzat kinse ka qenë pjesë e njësitit policor në Banjskë, shkruan IndeksOnline.

Avokati i Spahiut, Arianit Koci, është angazhuar për të arritur drejtësi për të, duke u marrë me trajtimin e rastit të tij.

Në një prononcim për IndeksOnline, Koci tha shkurtimisht se Arbnor Saphiu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha detyrat dhe angazhimet e tij me Policinë e Kosovës, më 1 nëntor të vitit 2022. Ai gjithashtu tha se Arbnori ka leje qëndrimi në Gjermani.

Kjo është faktike, e dokumentuar dhe Koci do ta dëshmojë përpara autoriteteve serbe.

“Dorëheqja vullnetare i është aprovuar me datën 01.11.2022! Arsyeja e dorëheqjes ka qenë bashkimi familjar. Të gjitha këto prova i kemi dorëzuar në gjykatën e Serbisë!” u shpreh Koci.

Edhe zyrtarisht, MPJD-ja konfirmoi arrestimin e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale, Arbnorit, më 7 qershor, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

“Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.

Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij” deklaroi MPJD-ja.

Ministria, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani./IndeksOnline/