AKP: “Jugodrvo” në veri është pronë shoqërore e administruar nga ne

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) informon opinionin publik se objekti i ndërmarrjes “Jugodrvo”, për të cilin është raportuar këto ditë në media që gjendet në Mitrovicën e Veriut është pronë shoqërore dhe si i tillë ndodhet nën administrimin ligjor të AKP-së, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (neni 5), si dhe me mandatin e trashëguar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit.
Objekti në fjalë është aset i ndërmarrjes shoqërore “Jugodrvo” dhe deri më tani ka qenë i shfrytëzuar pa një marrëveshje apo kontratë të rregullt me AKP-në. Në frymën e bashkëpunimit dhe respektimit të ligjeve në fuqi, AKP ka ofruar mundësinë që shfrytëzuesi aktual të formalizojë përdorimin e hapësirës përmes nënshkrimit të një kontrate, duke i mundësuar kështu vazhdimin e aktivitetit në përputhje me rregullat dhe procedurat e zbatueshme.
Është me rëndësi të theksohet se ndërprerja e një shfrytëzimi të paautorizuar nuk paraqet ndalim të aktivitetit afarist, kulturor apo informues. AKP nuk ka mandat për të licencuar apo kufizuar veprimtari të natyrës bibliotekare, edukative apo tregtare, por përkujdeset për administrimin ligjor të pronës shoqërore, në interes të barabartë të të gjithë qytetarëve dhe pa dallime.
Aktualisht, Agjencia është në pritje të përgjigjes së shfrytëzuesit nëse dëshiron të lidhë kontratë për shfrytëzimin e lokalit. Nëse shfrytëzuesi zgjedh të mos vazhdojë përdorimin e hapësirës, AKP do të mundësoj dhe do të ofrojë mbështetje për tërheqjen e materialeve dhe librave në çdo kohë të përshtatshme për të.
AKP thekson përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe menaxhimin transparent të pronës shoqërore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës në përputhje me Ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës.