Hoti: Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me situatën sa i përket energjisë elektrike. Hoti ka thënë se kriza energjetike, po e rrënon ekonominë kosovare
Hoti ka thënë se investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji. Paqartësia sipas tij nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit.
“Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite. Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite. Centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane”, ka thënë Hoti.
Sipas tij dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues.
“Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”, ka thënë Hoti. /Indeksonline/