Ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen sot në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, do të diskutojnë sot në Bruksel mbi zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme, në një kohë kur shqetësimi ndërkombëtar po rritet pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore në Iran, në mbështetje të ofensivës që Izraeli ka ndërmarrë prej ditësh kundër objektivave iraniane.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, një nga temat kryesore të mbledhjes do të jetë se si BE-ja mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe rikthimin në tryezën e negociatave.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, u bëri thirrje të dielën të gjitha palëve “të bëjnë një hap pas, të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”.
Në axhendën e ministrave të Jashtëm është edhe diskutimi mbi një raport të shërbimit diplomatik të BE-së, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, i cili vë në pikëpyetje përputhshmërinë e veprimeve të Izraelit në Rripin e Gazës me parimet e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
Raporti, i publikuar të premten, përfundon se “ka shenja se Izraeli po shkel detyrimet e tij në lidhje me të drejtat e njeriut, bazuar në nenin 2 të Marrëveshjes së Asociimit”.
“Masat kufizuese të vazhdueshme që Izraeli vendos për furnizimin me ushqime, barna, pajisje mjekësore dhe ndihma të tjera jetike po ndikojnë në të gjithë popullsinë e Gazës,” thuhet në raport.
I pyetur mbi këtë çështje, një zyrtar izraelit e cilësoi të premten raportin si “të njëanshëm” dhe tha se “përfaqëson një shembull të standardeve të dyfishta që BE-ja aplikon ndaj Izraelit”.