Rritja e lartë e importit të energjisë elektrike në vend, KOSTT jep detaje

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT ka dhënë detaje të reja për rritjen e lartë të importit të energjisë.
KOSTT thotë se këto vlera nuk paraqesin vetëm vlerat e konsumit të brendshëm në Kosovë por përfshijnë të ashtuquajturin fluks apo rrjedhë të energjisë.
“Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) është institucion i pavarur me mandat të qartë ligjor dhe funksione të mirëpërcaktuara, duke vepruar gjithmonë në përputhje me interesin publik dhe stabilitetin e sistemit energjetik të vendit.
Në lidhje me deklarimet dhe raportimet për rritjen e lartë të importit të energjisë, KOSTT vlerëson të nevojshme të sqarojë opinionin publik se këto vlera nuk paraqesin vetëm vlerat e konsumit të brendshëm në Kosovë por përfshijnë të ashtuquajturin fluks apo rrjedhë të energjisë që nënkupton sasinë e përgjithshme të energjisë që kalon përmes rrjetit të transmetimit, përfshirë edhe transitet të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me furnizimin e konsumatorëve në vend.
Është me rëndësi të sqarojmë se importi i energjisë elektrike nuk realizohet nga KOSTT, por nga furnizuesit e licencuar. Roli i KOSTT-it, si Operator i Sistemit të Transmetimit, është të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të sistemit, në përputhje me legjislacionin vendor dhe rregullat e Komunitetit të Energjisë. KOSTT nuk është palë në marrëveshje tregtare dhe nuk merr pjesë në procesin e blerjes apo shitjes së energjisë.
Vlen të theksohet se Kosova është pjesë aktive e tregut rajonal të energjisë dhe KOSTT, në cilësinë e Operatorit të Sistemit dhe Transmetimit, bashkëpunon çdo ditë me operatorët homologë. Ky bashkëpunim është thelbësor për funksionimin efikas dhe të integruar të sistemit, ndërsa çmimet dhe sasitë e energjisë që importohen apo eksportohen, përcaktohen nga dinamika e tregut dhe zhvillimet ditore që janë jashtë ndikimit të OST-ve.
KOSTT monitoron dhe raporton qarkullimin e energjisë në rrjetin e transmetimit. Të gjitha të dhënat përkatëse janë të publikuara në mënyrë transparente përmes raporteve mujore dhe vjetore, si dhe në platforma evropiane zyrtare si ENTSO-E dhe Transparency Platform” thuhet në njoftimin e KOSTT./Indeksonline/