U zhduk në rrethana të paqarta, vijon kërkimi i Nebi Tejecit nga Hasi

Edhe sot do të vijojë operacioni i kërkim-shpëtimit të 85-vjeçarit Nebi Tejeci, nga fshati Gorozhup i Hasit, pasi u zhduk dje në rrethana të paqarta.
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka prej dje që e kërkon Tejecin, duke bashkëpunuar edhe me njësite të policisë, zjarrfikësve dhe vullnetarëve, shkruan IndeksOnline.
Shoqata njoftoi mbrëmë vonë se nuk hasi në asnjë gjurmë të viktimës, teksa kërkimi i tij sot do të vazhdojë nga ora 09:00.
Ky është njoftimi i plotë:
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se kanë përfunduar për sonte kërkimet për personin e zhdukur në fshatin Gorozhup, Komuna e Hasit.
Kërkimet do të rifillojnë nesër nga ora 09:00 me angazhim të plotë të ekipeve tona në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe vullnetarët.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion për përkushtimin dhe ndihmën e dhënë gjatë gjithë ditës.
Lusim qytetarët që kanë ndonjë informacion të mundshëm të lajmërojnë autoritetet sa më parë.