Rrjedhja e raportit të Pentagonit/ Ish-zyrtari amerikan paralajmëron rrezik për jetën e agjentëve

Një ish-zyrtar i Pentagonit, i cili ka shërbyer gjatë administratës së parë të Donald Trump, ka reaguar pas rrjedhjes së një raporti të inteligjencës amerikane që trajton dëmet e shkaktuara në programin bërthamor të Iranit.
Duke folur për programin Today në BBC Radio 4, Mick Mulroy tha se rrjedhja e këtij dokumenti ishte e rrezikshme, pasi mund të rrezikojë jetën e burimeve njerëzore të inteligjencës. “Ata mund të vriten nëse komprometohen,” theksoi ai.
Mulroy vuri gjithashtu në dyshim saktësinë e vlerësimeve të mëparshme, të cilat pretendohej se do ta vononin ndjeshëm zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani. “Ose kanë gabuar më parë, ose po gabojnë tani – të dyja nuk mund të jenë të vërteta,” tha ai. Ai shtoi se ndërsa Shtëpia e Bardhë përdor termin “shkatërrim total”, raporti i inteligjencës është shumë më pak i sigurt në vlerësimet e tij.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar goditjet ndaj Iranit, Mulroy u shpreh se “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore” dhe shtoi se “mund të ketë goditje të tjera për të siguruar që ata të mos arrijnë kurrë në këtë pikë”.