Kosova shembull i mirë/ SHBA përgëzon Shërbimin Korrektues për zbatimin e teknologjisë në drejtësi

Kosova ka realizuar për herë të parë një seancë penale në distancë, duke përdorur sistemin e regjistrimit audio dhe video të financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit – INL (Byroja për Narkotikë Ndërkombëtare dhe Zbatimin e Ligjit). Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e cila e ka cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë.
Ky sistem i avancuar, i shpërndarë tashmë në gjykatat dhe institucionet korrektuese të Kosovës, mundëson pjesëmarrjen e të paraburgosurve në seanca përmes lidhjes në distancë, duke ulur nevojën për transport fizik dhe duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e proceseve gjyqësore. Po ashtu, dëshmitarët që ndodhen jashtë vendit mund të dëshmojnë pa qenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.
“Sisteme të forta të drejtësisë nënkuptojnë më pak strehime të sigurta për kriminelët që kërcënojnë SHBA-në dhe Kosovën”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane, duke nënvizuar përkushtimin e vazhdueshëm për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të drejta dhe efikase në vend.
Ky zhvillim u përshëndet gjerësisht edhe nga mediat vendore, si një hap konkret drejt modernizimit të sistemit gjyqësor dhe përmbushjes së standardeve ndërkombëtare./IndeksOnline/
