75 Mall Live Search
09:38 / E Enjte, 26 Qershor 2025 / k.v

Policia ndalon një person në Prishtinë për falsifikim parash – sekuestron mjete dhe para të dyshuara

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm, duke ndaluar një person të dyshuar për falsifikim të parasë.

Sipas njoftimit zyrtar, pas veprimeve operative, është ndaluar një mashkull kosovar nën dyshimin se prodhonte para të falsifikuara. Me urdhër të prokurorit, është realizuar bastisja në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të shumta që lidhen me veprën penale.

Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar:

  • 135 fletë formati A4 me kartëmonedha të ndryshme të fotokopjuara,
  • një xham me holograme të prera,
  • një skalper dhe vizore,
  • katër ngjitës, një shirit izolues dhe një printer,
  • një telefon “foli” me ngjyra,
  • një pako me cigare,
  • si dhe para të gatshme në vlerë prej 4,796.40 euro.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Policia fton qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë që mund të ndërlidhet me falsifikimin e parasë.