Zgjedhjet lokale/ Fillon periudha për aplikim të subjekteve politike, për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Kjo periudhë do të përfundojë më 13 gusht dhe me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, do të mundësohet aplikimi online.
“Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do t’iu krijojë dhe dërgojë ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ-ja do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Me qëllim që subjekteve politike (partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur) t’iu ndihmohet në përdorimin e platformës, nëse kanë nevojë, Zyra ka vënë në dispozicion dy tavolina ndihmëse dhe këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00” thuhet tutje në njoftim.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org
(Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për subjekte politike > Certifikimi i subjekteve politike) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike