Çka pritet të ndodh pas 30 ditësh nga vendimi i Kushtetueses? – Flet ish anëtari i saj Kadri Kryeziu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar që deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Ky vendim vjen në kohën kur procesi i konstituimit të Kuvendit ka hyrë në një fazë bllokimi institucional, duke krijuar pasiguri për hapat e ardhshëm.
Në këtë kontekst, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për IndeksOnline ka komentuar përmbajtjen dhe domethënien e vendimit të fundit të Gjykatës.
“Vendimi është optimal, duke iu përshtatur situatave të krizës për krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu, duke e cilësuar ndërhyrjen e Gjykatës si të domosdoshme në mungesë të afateve të qarta kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, problemi qëndron pikërisht në faktin se Kushtetuta nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit, ndryshe nga rastet e formimit të Qeverisë, ku afatet janë të qarta – 15 ditë plus 10, përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kur e kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi paramenduar që çështjet ceremoniale do të mund të shndërrohen në probleme procedurale. Kjo ka qenë një zgjidhje e vetme që mund të merrte Gjykata Kushtetuese, dhe unë pajtohem me të, sepse nuk kishte rrugë tjetër”, tha Kryeziu për IndeksOnline.
Vendimi i fundit i Gjykatës vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt qartësimit të procedurave parlamentare dhe sigurimit të funksionimit institucional, sidomos në kohë krizash politike. /IndeksOnline/