Si e largoi Arbërie Nagavci kryeinspektorin e arsimit pas 16 vitesh punë, e transferoi në MAPL, rrëfimi i Gashit

Dëfrim Gashi, ish-drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit, ka ngritur kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke e akuzuar për shkarkim të kundërligjshëm dhe me motive politike.
Pas këtij vendimi, ai ndërmori hapa institucionalë dhe ligjorë, përfshirë edhe ankesën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, që e gjeti ankesën e tij pjesërisht të bazuar.
Megjithatë, Gashi me një vendim thotë se u transferua në mënyrë të njëanshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), një veprim që ai e cilëson si vazhdim të presionit institucional për ta larguar nga fusha ku ka ndërtuar karrierë 16-vjeçare.
Sipas Gashit, rekrutimi i inspektorëve dhe drejtorit të ri është bërë pa rregullore të veçantë dhe pa strukturë organizative dhe në kundërshtim me Ligjin për Inspektimet dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Ai po ashtu akuzon MASHTI-n dhe institucionet mbikëqyrëse për dy standarde – pasi në vitin 2016 kishin njohur si të ligjshëm emërimin e tij, ndërsa sot e mohojnë të njëjtën pozitë pa ndonjë bazë të re ligjore.
Gashi u shkarkua më 20 shtator 2023 nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit pozitë të cilën e kishte ushtruar për gati 16 vjet.
Gashi në një intervistë për “Indeksonline” ka treguar në detaje se vendimi për largim nga detyra është bërë si hakmarrje politike.
Ndër kohë nga ministria kanë thënë se pyetjet janë adresuar në Inspektoratin e Arsimit.
“Sapo të kemi përgjigje nga ana e tyre do t’ua dërgojmë”, kanë thënë nga MAShT.
Më poshtë është linku i intervistës.