75 Mall Live Search
16:18 / E Premte, 27 Qershor 2025 / FR

Maqedonci: Betohen 350 ushtarë të rinj – Ushtria e Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përshëndetur ceremoninë e betimit të 350 rekrutëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për shtetin.

“Mbi 2700 ushtarak të rekrutuar në katër vite qeverisje,” tha ai, duke shtuar se “Muajin e ngjarjeve të lavdishme për popullin tonë e përmbyllëm me ceremoninë e betimit të treqind e pesëdhjetë rekrutëve të rinj të cilët sot filluan rrugëtimin e tyre si ushtar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.”

Ministri përgëzoi të rinjtë për vendimin e tyre duke theksuar se kjo detyrë është “sa e vështirë aq edhe fisnike.”

Ai ka shkruar edhe për sfidat aktuale të sigurisë duke nënvizuar se “në këtë kohë sfidash për sigurinë globale dhe vendore, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është esenciale.”

Maqedonci shprehu bindjen dhe gëzimin se “sot ushtria e Kosovës është shumë më e fuqishme, më e pajisur e më e përgatitur se asnjëherë më parë, me sisteme të armatimit e me të rinj e të reja që me vullnet e guxim të pashoq i shërbejnë Republikës së Kosovës.”

Duke garantuar mbështetjen për ushtarakët, ai tha: “Si Ministër, ju siguroj që investimet në sektorin e mbrojtjes do të vazhdojnë. Ushtarakët tanë do të kenë gjithmonë përkrahjen time dhe të Qeverisë.”

Në fund, ai uroi të rinjtë me fjalët: “Suksese ushtarëve të rinj dhe qofshin gjithmonë faqebardhë!”.