75 Mall Live Search
22:56 / E Premte, 27 Qershor 2025 / MSH

Çmimi i naftës në botë – drejt rënies më të madhe javore në dy vjet

Çmimet e naftës u rritën të premten, megjithatë projeksionet po tregojnë se do të pësojnë uljen më të madhe javore që nga marsi 2023.

Mungesa e ndërprerjeve të mëdha në furnizim si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit ka bërë që primet e rrezikut gjeopolitik të zhduken pothuajse plotësisht.

Nafta Brent u rrit me 54 cent, ose 0.8%, duke arritur në 68.26 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 60 cent, ose afërsisht 0.9%, në 65.83 dollarë për fuçi.

Gjatë konfliktit 12-ditor që nisi më 13 qershor, pasi Izraeli goditi objektet bërthamore iraniane, çmimet e Brent-it u ngjitën përkohësisht mbi 80 dollarë për fuçi, por më pas ranë në 67 dollarë pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim mes dy vendeve. Si pasojë, të dy kontratat janë në rrugë për të regjistruar një rënie javore prej rreth 12%.

“Tregu pothuajse e ka injoruar tërësisht rrezikun gjeopolitik të para një jave dhe po i rikthehet një tregu të drejtuar nga themelet ekonomike”, deklaroi analisti i Rystad Energy, Janiv Shah.

Vëmendja është gjithashtu e përqëndruar në takimin e ardhshëm të OPEC+, i cili do të mbahet më 6 korrik dhe pritet të përcaktojë nivelet e prodhimit për muajin gusht.

Sipas analistëve, mund të ketë hapësirë për një muaj tjetër me ulje të shpejtuar të kufizimeve të prodhimit, por gjithçka do të varet nga treguesit e kërkesës gjatë verës.

Të dhënat e Administratës për Informacionin mbi Energjinë në SHBA (EIA), të publikuara të mërkurën, treguan se rezervat e naftës së papërpunuar dhe karburanteve kanë rënë në javën e kaluar, ndërsa aktiviteti i rafinimit dhe kërkesa janë rritur.

Po ashtu, të dhënat e së enjtes treguan se rezervat e naftës gasoil në qendrën e rafinimit dhe magazinimit Amsterdam-Roterdam-Anvers (ARA) kanë rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një vit.

Në të njëjtën kohë, importet kineze të naftës iraniane pësuan rritje të ndjeshme në muajin qershor, si rezultat i përshpejtimit të dërgesave përpara përshkallëzimit të konfliktit dhe rritjes së kërkesës nga rafineritë e pavarura.

Kina është importuesi më i madh në botë i naftës dhe blerësi kryesor i naftës iraniane.

Sipas të dhënave të kompanisë së ndjekjes së anijeve Vortexa, Kina ka blerë mbi 1.8 milionë fuçi naftë iraniane në ditë gjatë periudhës 1–20 qershor, një rekord sipas të dhënave të firmës.