Të shtënat me armë në ‘Bregun e Diellit’, Policia: Janë konfiskuar 8 gëzhoja

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndodhur një rast i cilësuar si “vrasje në tentativë” në Prishtinë.
Sipas njoftimit incidenti ka ndodhur me të shtëna armësh, ku persona të panjohur kanë shtënë nga një veturë dhe një motoçikletë, përpara se të largoheshin në drejtim të panjohur.
Sipas raportit policor, pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në 8 gëzhoja, të cilat dyshohet se janë shkrepur gjatë incidentit. Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar.
“Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aty kanë gjetur e konfiskuar 8-gëzhoja të cilat dyshohet se janë shkrepur nga persona të panjohur nga një veturë në njërën anë dhe një motoçikletë në anën tjetër, të cilat pastaj kanë ikur në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin për të cilin është informuar edhe prokurori”, ka njoftuar Policia e Kosoves.
IndeksOnline gjatë ditës së djeshme ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku ka ndodhur rasti.