Bekë Berisha: Kurrkush s’e ka nijetin e mirë, po duket që ka me vazhdu bllokada

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka kritikuar bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se palët politike po e zvarrisin situatën me qëllim.
Para nisjes së seancës së 39-të për përpjekjen për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Berisha u shpreh se nuk i ka kuptuar versionet e deritanishme të palëve dhe i cilësoi ato si përpjekje për të vazhduar bllokadën.
“Unë nuk i kam kuptuar këto versionet e shpjegimeve të asnjë pale. Po më duket se duan me vazhdu prapë me bllokadë. Nuk e ka askush jetën e mirë kështu,” tha Berisha për media para Kuvendit.
Ai tha se është koha që të thyhen disa “rregulla të heshtura” dhe t’u jepet zgjidhje situatës.
“Duhet me dal me prish do rregulla, me i qit në dritë çka po ndodh. Duhet me marrë fjalën, edhe nëse është rregull mos me fol, duhet me u ulë në një tavolinë dhe me ju thënë: merruni vesh tash – në sy të popullit. Se kështu po dalin e po gënjejnë, po takohen fshehtë, e askush nuk po del prej këtij ngërçi,” theksoi ai.
Berisha akuzoi qeverinë në ikje, në veçanti kryeministrin Albin Kurti, për vënien e kushteve që sipas tij po e thellojnë krizën politike.
“Më së shumti përgjegjësi kanë këta që po e mbajnë pushtetin – Albin Kurti që po vë kushte. Nuk kemi as president, as institucione funksionale. Kjo është gjendje alarmante,” përfundoi ai.