Përballja Kurti-Rama, futet në lojë edhe Hekuran Murati

Gjatë ditës së sotme pati një përplasje në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama lidhur me projektet komunale.
E në këtë ka hyrë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshimplotësimi i Ligjit të buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore
‘’Për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore – pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të buxhetit në kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi. Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina’’, ka shkruar Murati.
Sipas Muratit kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK.
‘’Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK-ja, e cila duke mos votuar për konstituimin e kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse. Megjithatë, moshyrja në fuqi e buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për financa publike dhe atë të prokurimit publik’’, ka shkruar Murati.
Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre, ka shtuar më tej ai./Indeksonline/