75 Mall Live Search
09:31 / E Martë, 01 Korrik 2025 / S Z

Shqipëria vazhdon të thyejë rekorde për tërheqjen e investitorëve të huaj

Një numër i madh biznesesh në Kosovë kanë rritur interesimin e tyre që të zhvendosin investimet e tyre nga Kosova në shtetin e Shqipërisë. Shkas për këtë thuhet të jenë ofertat që shteti shqiptar bënë për afaristët, por edhe ambienti i rëndë biznesor në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Shqipërisë, investimet e Kosovës për vitin 2024 ishin 420 milionë euro ndërsa në evidentimet e fundit këto investime u rritën edhe për 20 milionë euro të tjera. Në total 440 milionë euro.

Në këtë situatë kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se këto shifra mund të jenë edhe më të mëdha, ndërsa siç thotë Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku afaristët e Kosovës po e gjejnë veten.

“Investitorët e Kosovës po shohin mundësitë për investime nëpër vende të tjera dhe ku ka më mirë se sa në Shqipëri. Atje pret më pak, licensat janë më të lira, koha është më e shkurtër, siguria është në nivel. Por, afaristët tanë kanë investuar edhe në Mal të Zi, Maqedoni dhe vende të rajonit, ku do që ka lehtësira për ta”, tha Shahini për RTV21.

Banka e Shqipërisë për vitin 2024 radhiti Kosovën në vendin e katërt në listën e investitorëve të huaj. Megjithatë, afaristët nga Kosova, por edhe qytetarët vitin e kaluar investuan rreth 20 milionë euro edhe në Malin e Zi, duke arritur kështu në total mbi 60 milionë euro investime. Në këtë situatë, ish-ministri i tregtisë, Ismet Mulaj, thotë se trendi i investimeve jashtë Kosovës dhe tërheqja e tyre nga Kosova përveç se rrezikon humbjen e kapitalit afarist rrezikon edhe humbjen e fuqisë punëtore.

Mas pari bjen imazhi i Kosovës së dyti këto vende përveç se tërhiqen si investitor tërheqin edhe fuqinë puntore. Edhe ashtu ka një dinamikë të ikjes së trurit nga Kosova dhe koncentrohet në vende rajonale, ka një rritje të kosovarëve të cilët po krijojnë biznese të reja në rajon sidomos në Shqipëri, prandaj do duhej të merrej me reforma konkrete dhe punoj për përmirësimin e imazhit. “, deklaroi Mulaj për RTV21.

Në anën tjetër Kosova në mungesë të fuqisë prodhuese ndër vite përballet me një deficit të lartë tregtar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë në 6 mujorin e parë të 2025 shënoi një rritje të eksportit për 21.5% për dallim nga viti 2024. Kosova në këta muaj të 2025 ka blerë mallra në vlerë prej 523.4 milionë euro, për dallim në 6 muajt e parë të vitit 2024 ku vlera e importit arrinte në 430.6 milionë euro. Ndërsa vetëm në muajin maj Kosova e rriti importin për 17.1% më shumë se sa në majin e vitit 2024.

“Eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81.4 milion Euro, ndërsa importi 604.7milionë euro.”

Përveç prodhimit Kosova ndër vite ka pasur vështirësi për të sjellë investitor të huaj, të cilët do të kontribuonin në rritjen ekonomike. Në këtë kuptim ish-ministri i tregtisë, Ismet Mulaj, numëron arsyet se pse Kosova e ka të vështirë të marr investime të huaja.

“Për këta 25 vjet Kosova ka pas një jostabilitet politik, probleme të jashtëzakonshme në veri dhe problemet me Serbinë ndikojnë drejtëpërdrejtë tek investitorët e huaj. Duke qenë treg i vogël nuk ka ditur që t’i shfrytëzoi resurset që ka në mënyrë strategjike asetet që ka Kosova me qëllim që të tërheq investitor. Po ashtu reformat që janë ndërmarrë nuk kanë qenë të duhura. Nëse bazohemi në ligjin për investime strategjike është një ligj që është miratuar 2 herë në Kuvend dhe nuk ka arritë me tërhek ndonjë investitor strategjik. Prandaj janë një sër faktorësh tjerë që kanë ndikuar të kemi investime serioze në tregun e Kosovës”, tha ai.

Njohës të çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se edhe masat ndëshkuese të BE-së të vendosura në vitin 2023 kanë ndikuar që investitorët strategjik të mos e shohin Kosovën si vend me potencial ekonomik.