75 Mall Live Search
10:44 / E Martë, 01 Korrik 2025 / mp

Një i vdekur dhe dy të plagosur në një sulm me thikë në një kompani në Gjermani

Një person është vrarë dhe dy  të tjerë janë plagosur pas një sulmi me thikë që ndodhi herët në mëngjes në një kompani në Gjermaninë Jugqendrore.

Incidenti ndodhi në ambientet e kompanisë së shërbimeve Ueberlandwerk Rhoen, e cila ndodhet në rrugën “Sondheimer” në qytetin bavarez Mellrichstadt.

Policia dhe ndihma e shpejtë u përgjigjën menjëherë pas njoftimit për sulmin.

Reuters raportoi se viktima kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shumta me thikë në pjesën e sipërme të trupit, përfshirë qafën, përcjell Insajderi.

Një zëdhënës i kompanisë refuzoi të komentojë për ngjarjen, ndërsa policia konfirmoi sulmin, megjithëse nuk e specifikoi emrin e kompanisë.

Autori i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është marrë në paraburgim për t’u intervistuar nga autoritetet.

Deri tani, motivi i sulmit mbetet i panjohur, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë.