75 Mall Live Search
14:40 / E Martë, 01 Korrik 2025 / k.v

Mashtrim me “donacione nga Danimarka”, ngrihet aktakuzë ndaj A.G. në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës A.G., e cila akuzohet për veprën penale të mashtrimit, sipas nenit 323, paragrafi 1 i Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur gjatë muajit gusht të vitit 2024 në fshatin Skivjan të Komunës së Gjakovës, ku e pandehura A.G. dyshohet se me paraqitje të rreme të fakteve dhe me qëllim për përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete, ka mashtruar disa banorë të zonës.

Ajo ishte paraqitur si presidente e një OJQ-je dhe kishte premtuar se përmes një donacioni të supozuar nga shteti i Danimarkës do të shpërndaheshin traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore. Sipas saj, përfitimi i këtyre mjeteve ishte i mundur vetëm nëse qytetarët paguanin shumën prej 250 eurosh, kinse për shpenzime transporti.

Të dëmtuarit SH.D., D.H., J.H., Z.H., E.K., N.A., A.A., S.T. dhe A.B. kishin paguar këtë shumë, por donacioni i premtuar nuk u realizua kurrë, duke u shkaktuar atyre dëm material.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet në përputhje me ligjin.

Rasti pritet të trajtohet në gjykatë në javët në vijim.