75 Mall Live Search
15:30 / E Martë, 01 Korrik 2025 / H F

Dështon ndërtimi i burgut për gratë në Lipjan

Ka dështuar procesi për ndërtimin e Institucionit Korrektues për Gra në Lipjan, pasi tenderi i shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës është anuluar për shkak të mosmarrjes së asnjë oferte të përgjegjshme dhe tejkalimit të buxhetit të paraparë.

Tenderi ishte shpallur muaj më parë përmes platformës zyrtare të E-Prokurimit, ndërsa për të kishin aplikuar dy operatorë ekonomikë. Megjithatë, sipas njoftimit të publikuar në këtë platformë, të dy ofertat e dorëzuara kanë përmbajtur çmime që tejkalojnë në mënyrë substanciale buxhetin e autoritetit kontraktues.

Vlera e parashikuar për këtë projekt ka qenë 4,115,000.00 euro, por asnjë nga ofertat nuk ka plotësuar kriteret financiare dhe ligjore për të konsideruar si e përgjegjshme.

Në njoftim thuhet se procedura është anuluar në përputhje me një dispozitë të Ligjit për Prokurimin Publik, e cila kërkon ndërprerjen e aktivitetit nëse të gjitha ofertat e përgjegjshme tejkalojnë buxhetin e autoritetit.

Ky zhvillim përbën një pengesë të konsiderueshme në ndërtimin e infrastrukturës korrektuese për gratë në Kosovë, një nevojë e kahershme për sistemin e drejtësisë dhe për trajtimin dinjitoz të të dënuarave dhe paraburgosurve gra.

Nuk është bërë ende e ditur nëse Shërbimi Korrektues do ta ri-hapë tenderin në një fazë të re apo nëse do të ketë rishikim të buxhetit për këtë projekt jetik.