Hisen Berisha thirrje policëve të Kosovës: Mos u bëni pjesë e asnjë skenari politik!

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha ka bërë një thirrje të çuditshme për policët e Kosovës.
Ushtaraku i njohur ka thënë se asnjë polic nuk duhet të bëhet pjesë e asnjë skenari politik.
“Për pjesëtarët e Policisë së Kosovës – në mbrojtje të rendit, jo të skenarëve
Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
si bashkëluftëtar dhe vëlla i armës me shumë prej jush që jeni të angazhuar në veri të vendit – si njëri që kam shërbyer në uniformë një jetë, që e vlerëson lart patriotizmin shtetëror, i cili është virtyt i atyre që mbajnë uniformën e shtetit të Kosovës, qoftë të ushtrisë apo të policisë – në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, më lejoni t’ju drejtohem sot me një thirrje të sinqertë dhe me përgjegjësi të lartë shtetërore:
Ju që sot mbani barrën kryesore të ruajtjes së rendit, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë –
mos lejoni trazira në veri!
Si strukturë që garanton sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit – mos lejoni asnjë skenar që do t’i shërbente kujtdo në politikë për të mbuluar dështimet e veta me krizë në veri.
Pse kjo thirrje, sot?
Ketë shqetësim po e adresoj te ju në formë të thirrjes publike, i motivuar nga zhvillimet në dy qëndra politike – rajonale dhe brenda vendit tonë:
- Në Beograd, Aleksandër Vuçiq ndodhet në pozitë të vështirë përballë padëgjueshmërisë qytetare dhe presioneve të brendshme politike;
- Në Prishtinë, kriza politike ka tejkaluar kufijtë ligjorë, kushtetues dhe etik, duke u afruar rrezikshëm me logjikën e përplasjes.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me afat për zgjidhje brenda 30-ditësh e ka vënë në sprovë jo vetëm legjitimitetin institucional, por edhe dinjitetin e munguar të klasës politike.
Në këtë kontekst dhe klimë të turbullt, sipas “shkollës së vjetër”, të dyja palët politikbërëse edhe në Beograd, edhe në Prishtinë – shohin kah Veriu si vatër e mundshme për të prodhuar tension të kontrolluar përmes ndonjë skenari trazirash të fabrikuara, për qëllime politike – më sakt për të mbuluar dështimin politik.
Uniforma e shtetit nuk është instrument i politikës ditore, prandaj i thoni JO!
Me autoritetin që ju jep Kushtetuta, ligji, uniforma dhe misioni i Policisë së Republikës së Kosovës –
jeni në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit, jo të skenarëve që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe demokracinë.
Me respekt dhe përgjegjësi të plotë ushtarake e shtetërore”, shkruan Hisen Berisha në thirrjen e tij./Indeksonline/