75 Mall Live Search
11:37 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / k.v

S’mbahet seanca, policia dështon ta sjellë me detyrim Fitore Pacolli-Dalipin, gjykata shqyrton urdhërarrestin ose paraburgimin e deputetes

Në mungesë të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ajo bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputeten, Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-s.

Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, tha se për të akuzuaren Pacolli – Dalipi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën ashtu siç duhet pasi që urdhëresa ka qenë për datën e sotme, ndërsa gjykata ka pranuar një raport ditën e djeshme se e akuzuara nuk ka qenë në vendbanimin e saj.

Lidhur me këtë, Sadikaj tha se për të akuzuarën Pacolli – Dalipi do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, prezent ishin i akuzuari Xhelal Sveçla me avokatin e tij Laur Prenaj, e akuzuara Drita Millaku me avokatin e saj Veton Robaj, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit- avokati Lavdrim Salihu, si dhe i akuzuari Salih Zyba i cili kërkoi nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve. Po ashtu, prezent ishte edhe prokurori Valdrin Krasniqi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.