Ndërtimi i urave mbi Ibër me kontratë të negociuar

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 2 milionë e 999 mijë euro me kompaninë “Eurokos Holding” për ndërtimin e mbikalimeve (urave) për këmbësorë dhe automjete në qytetin e Mitrovicës.
Kontrata është dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Për këtë projekt kishin ofertuar 5 kompani madje një nga to kishte ofruar ofertën më të lirë se të fituesi i këtij tender.
Ndërtimi i urave ka për qëllim të përmirësojë qarkullimin dhe do tw mundwsoj kalimin mes veriut dhe jugut të qytetit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mbikëqyrur vënien e gur themelit për fillimin e ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare.
Ndërtimi i këtyre dy urave të reja – njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë – pritet të përfundojë në vjeshtë.
Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Kurti tha se “ne jemi për t’u hapur edhe ura kryesorë mbi lumin Ibër, ne nuk heqim dorë asnjëherë nga hapja e urës”.
Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare./indeksonline/