75 Mall Live Search
13:03 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / mp

Deputetja Pacolli: S’kam marrë ftesë nga gjykata

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për seancë për çështjen e gazit lotsjellës, pak pasi u bë e ditur nga kjo gjykatë se policia ka dështuar ta sillte me detyrim në seancë.

“Gjykata e ka adresën time të banimit dhe e di saktësisht ku banoj. Nëse vërtet kanë dërguar një ftesë dhe nuk më kanë gjetur në shtëpi, është obligim ligjor i shërbimit policor apo postës që të lënë një njoftim për praninë e tyre, qoftë për të caktuar një datë tjetër, qoftë për të më njoftuar që të paraqitem në gjykatë”, shkroi në Facebook Pacolli, duke shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me drejtësinë.

Në mungesë të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ajo bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputeten, Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-s.

Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, tha se për të akuzuaren Pacolli – Dalipi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën ashtu siç duhet pasi që urdhëresa ka qenë për datën e sotme, ndërsa gjykata ka pranuar një raport ditën e djeshme se e akuzuara nuk ka qenë në vendbanimin e saj. Lidhur me këtë, Sadikaj tha se për të akuzuarën Pacolli – Dalipi do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, prezent ishin i akuzuari Xhelal Sveçla me avokatin e tij Laur Prenaj, e akuzuara Drita Millaku me avokatin e saj Veton Robaj, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit- avokati Lavdrim Salihu, si dhe i akuzuari Salih Zyba i cili kërkoi nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve. Po ashtu, prezent ishte edhe prokurori Valdrin Krasniqi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.