75 Mall Live Search
13:28 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / mp

LDK-ja në 35-vjetorin e deklaratës së 2 Korrikut: Pikënisje e një rruge të re për Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar komunikatë me rastin e 35- vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut.

Komunikata:

35 VJET NGA DEKLARATA KUSHTETUESE E 2 KORRIKUT

Sot, shënojmë 35-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, aktin historik që hodhi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës. Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së asaj kohe, duke shprehur qartë vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ky akt i guximshëm, i cili sfidoi sistemin shtypës dhe i dha zë aspiratës së kahmotshme për liri, u shndërrua në pikënisjen e një rruge të re për Kosovën; rrugën drejt pavarësisë së plotë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik.

Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë.

Në këtë ditë të shënuar, shprehim mirënjohjen më të thellë për delegatët e 2 Korrikut dhe për të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Përkujtojmë me nderim të gjithë dëshmorët, heronjtë, të rënët dhe të burgosurit politikë, që sakrifikuan gjithçka për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i pathyeshëm në ndërtimin e shtetit tonë, një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e qartë e aspiratës sonë për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian, dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.