OSHP me ushtrues të detyrës – vazhdon zvarritja për publikimin e vendimeve

Po bëhen afër një (1) vit që OSHP vazhdon të udhëhiqet nga Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Bordit z. Isa Hasani si dhe me vetëm katër (4) anëtar nga pesë (5) sa duhet të jenë gjithsej.
OSHP vetëm në gjashtë (6) mujorin e parë të vitit 2025 ka pranuar rreth 585 ankesa mirëpo pjesa më e madhe e tyre ende nuk janë zgjidhur apo janë zgjidhur me vonesë duke tejkaluar afatin ligjor prej 30 ditëve për shqyrtimin e një ankese.
Një nga aktivitetet e prokurimit që po monitorohen me interes të madh nga publiku është “Zgjerimi i rrugës Nacionale N 9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq, Loti 1, 2 ,3, 4”. Lidhur me këtë aktivitet të prokurimit janë parashtruar gjithsej 5 ankesa, 2 prej të cilave janë parashtruar me datë 02.05.2025 dhe 3 të tjera me datë 05.05.2025. Pra nga data e paraqitjes së këtyre ankesave deri më tani kanë kaluar rreth 2 muaj dhe ende nuk është publikuar asnjë vendim lidhur me këto ankesa pavarësisht që është tejkaluar dyfish afati ligjor prej 30 ditëve për vendosjen e tyre. Deri më tani është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit me datë 27.06.2025.
Nga redaksia jonë janë parashtruar disa pyetje në adresën e z. Isa Hasani si ushtrues i detyrës së kryetarit të bordit në OSHP lidhur me arsyet pse OSHP e ka tejkaluar afatin ligjor lidhur me këto ankesa dhe kur pritet të vendosë OSHP? Mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar asnjë përgjigje.
Vlen të shtohet se tejkalimi i afateve ligjore të vendimmarrjes në OSHP është një nga arsyet kryesore të zvarritjes së aktiviteteve të prokurimit në vend dhe realizimit të projekteve brenda afateve të planifikuara nga autoritetet kontraktuese.