75 Mall Live Search
07:40 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / MSH

Seanca nr. 41!

Deputetët do të tentojnë për herë të 41-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e kaluar, rëndom si në të tjerat, kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.

Nga zhvillimet e tjera politike, dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, subjektet e tjera i takon ditëve në vijim.

Ky cikël të ri konsultimesh është bërë lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Takimet e para janë mbajtur me kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

Po ashtu presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25.