Policia e Ferizajt krahason statistikat me vitin 2024: Bie numri i vjedhjeve, rritet numri i lëndimeve trupore

Drejtoria rajonale e policisë në Ferizaj ka publikuar statistikat krahasimore mes këtij viti dhe 2024-tës, lidhur me numrin e veprave penale dhe rasteve të trajtuara përgjatë qershorit.
Duke pohuar se ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, nga kjo DRP pohojnë se është rritur për 100% numri i lëndimeve të rënda trupore dhe për 27.3% numri i lëndimeve të lehta trupore.
Teksa në qershor të 2024-s janë evidentuar 43 raste të vjedhjes, statistikat për këtë vepër penale janë ulur për 27.9% në qershor të këtij viti, me vetëm 31 raste të regjistruara, shkruan IndeksOnline.
Ka rënë edhe numri i vjedhjeve të rënda gjithashtu, teksa nuk ka pasur asnjë rast të grabitjes.
Fatmirësisht, si në vitin 2024, ashtu edhe këtë vit, në qershor nuk është regjistruar asnjë rast i vrasjes.

Ndërkohë, në krahasim me qershorin e 2024-tës, është rritur numri i arrestimeve bazuar në autorizimet policore, por ka rënë ai i arrestimeve me urdhëresë të gjykatës.

“Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë e rajonale të Ferizajt për parandalimin dhe luftimin e veprave penale.
Çdo rast mund të raportohet në këto mënyra: drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”, në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250, 0290/322-406.
Sigurojmë qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht”, deklaron DRP – Ferizaj./IndeksOnline/