75 Mall Live Search
10:40 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / LB

Bordi i AKP-së thjeshtëson procedurat e shitjes me tender publik


Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale. Fillimisht, bordi miratoi ndryshimet në procedurat e shitjes me tender publik dhe shtojcën përkatëse – metodologjinë për përcaktimin e çmimit orientues. Ndryshimet kryesore përfshijnë: trajtimin e aseteve me mospërputhje ndërmjet të dhënave tekstuale, grafike dhe gjendjes faktike në terren; aseteve që pas pesë raundesh tenderimi, nuk kanë gjeneruar oferta ose kur ofertat janë nën çmimin minimal; si edhe konsolidimin e dokumentacionit të shitjes. Këto përmirësime synojnë thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe efikasitetit, si dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe praktikat më të mira institucionale.

Në këtë mbledhje, bordi ka aprovuar kërkesën e Komunës së Kamenicës për largim të dy aseteve nga vala SHAL 74 për shkak të interesit publik, ato njësi janë Njësia 14 – Agroprodukti Toka në  Hodonovc (Lot A) dhe Njësia nr. 28 –  Zhivko Vasiq Toka në Petroc (Lot D). Bordi ka aprovuar raportin e Komisionit të banesave të ndërmarrjeve shoqërore, ku 1 raport është aprovuar, 2 refuzuar, dhe 1 rast është shtyrë për sqarime shtesë.

Më pas, Bordi shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për plotësim-ndryshim të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet KGJK-së dhe agjencisë, që parasheh shtimin e numrit të zyrtarëve ligjorë të mbështetur nga AKP-ja në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, nga njëzet (20) në njëzet e pesë (25). Këta zyrtarë do të angazhohen në çështjet ligjore dhe administrative që lidhen me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përshpejtimit të trajtimit të lëndëve aktive në Dhomën e Posaçme.

Bordi sipas mandatit të tij morri vendim për fillim të likuidimit të ndërmarrjeve MIT052 njësia punuese “Bar Bilje”, aseti në Kopaonik dhe PRN038 kooperativa zejtare banesore “Bashkimi” – Prishtinë. Për dy ndërmarrje tjera si GJI142 KB “Novobërda” – Novobërdë  dhe GJI015 KB “Cërnica”, Cërnicë – Gjilan u njoh me raportet përfundimtar të procesit të likuidimit që në procedurë të rregullt do të dërgohen në DHPGJS ku dhe do të shqyrtohen për përmbylljen e  ndërmarrjeve.

Bordi ka aprovuar dy kërkesa të autoritetit të likuidimit për heqje dorë nga asetet për shkak të interesit publik, si në vijim: 1) Kërkesa për heqje dorë 5314-3 dhe 5314-4 ZK Gjakovë jashtë-qytet, asete të NSH “Ereniku-Prodhimtaria Primare”  – në këtë parcelë janë varrezat e martirëve në Çabrat; dhe 2) Kërkesë për heqje dorë nga parcela 01200-0 ZK Decan, pronë e NT “Agimi”, Gjakovë në këtë parcelë gjendet lapidari i dëshmorëve të kombit në qendër të qytetit.

Në përmbyllje, bordi trajtoi një numër të caktuar rasteve të qiradhënies direkte për asetet e NSH-ve,  lidhur me kërkesat e parashtruara nga  personat fizik , bizneset dhe institucionet të cilat kanë shprehur interes juridik për marrje me qira të asetet shoqërore, si edhe trajtoi kërkesat e palëve  për  transferimin e së drejtës së qiramarrjes te personat e tjerë në pajtim me ligjin në fuqi.