Terras: Zgjedhjet e reja opsioni i fundit, mosformimi i institucioneve bllokon integrimin evropian

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka qenë i zëshëm me kritika ndaj parlamentarëve për formimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve e kërkoi sa më shpejt konstituimin.
Në një intervistë për Klankosova ai ka deklaruar se Kosova duhet që brenda 30 ditëshit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të formojë institucionet e reja për çka u shpreh se do hapeshin rrugë që BE-ja edhe ta lironte Prishtinën zyrtare nga masat aktuale ndëshkuese.
Sipas tij bllokimi duhet të largohet, por zgjedhjet e reja duhet të jenë opsioni i fundit, derisa thekson se Kosovës problem ngërçi politik po i shkakton edhe rrugës drejt integrimit evropian.
“Para së gjithash, të gjitha partitë kryesore në Kosovë janë fuqishëm në favor të integrimit në BE dhe kjo është një shenjë pozitive për interesat e ndërsjella dhe zgjerimin e BE-së. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Parlamentit 30 ditë për të zgjedhur një kryetar dhe nënkryetarët është një detyrim, jo një rekomandim. Pra, ai duhet të çojë në një rezultat konkret. Nëse Parlamenti ende nuk arrin të krijojë një lidership funksional, Kryeministri Kurti mund të vazhdojë të jetë kryeministër në detyrë, duke vepruar si kryeministër, megjithëse pa një mandat formal. Sipas mendimit tim, zgjedhjet e reja duhet të jenë një opsion i fundit. Në fund të fundit, sa më shpejt që Kosova ta zgjidhë bllokimin aktual, aq më mirë për të gjithë”, ka thënë ai.
Ndërsa ka folur dhe për dëmin që shkakton kjo bllokadë politike Kosovës në aspektin e integrimit evropian.
“Kjo është pengesa e parë thelbësore që duhet të kapërcejmë në mënyrë që të ecim përpara me të gjithë procesin e zgjerimit dhe të rikthejmë fondet e BE-së. Por vetëm kjo, sigurisht, nuk është e mjaftueshme për integrimin e plotë. Raporti i fundit përshkruan sfidat afatgjata që ende na presin. Kosova ka bërë përparim të madh në disa fusha, por ende kërkohen përmirësime të rëndësishme. Politika e konkurrencës mbetet një çështje thelbësore, pasi pa një mbikëqyrje të duhur, rrezikohet drejtësia dhe balanca në treg. Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë janë po ashtu prioritare, pasi luajnë rol kyç në zhvillimin e aftësive të individëve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”, tha ai.