75 Mall Live Search
09:17 / E Shtunë, 05 Korrik 2025 / Gj. Sh

Reali bën ofertë për Vitinhan

Real Madrid po përgatitet për një nga operacionet më ambicioze të kësaj vere: transferimin e Vitinhas, mesfushorit të PSG-së, për një shumë afër 100 milionë eurosh plus përfshirjen e Eduardo Camavingas në marrëveshje.

Burime pranë klubit kanë zbuluar se reprezentuesi portugez është basti kryesor i trajnerit Xabi Alonso për të rindërtuar mesfushën pas largimit të afërt të Luka Modrić, raporton “Fichajes”.

Largimi i kroatit, së bashku me pensionimin e Toni Kroos, ka lënë një boshllëk të thellë në “dhomën e motorit” të skuadrës madrilene.

Pa magjinë dhe lidershipin e tyre, Real Madrid ka nevojë për një figurë të re që mund të kontrollojë ritmin e lojës.

Për stafin teknik, Vitinha përfaqëson pikërisht këtë profil të kërkuar: i ri, me përvojë në nivele të larta, organizator, i aftë të kalojë linjat dhe të sjellë ekuilibër.

Nga ana tjetër, PSG ka treguar më parë interes për Camavinga-n, dhe ndonëse mesfushori francez nuk po kalon momentin e tij më të mirë – është i lënduar dhe mungon në Kupën e Botës për Klube – potenciali i tij vlerësohet ende lart në Paris.

Përfshirja e tij në marrëveshje synon të lehtësojë negociatat dhe të ulë koston financiare të një transferimi që përndryshe do të kalonte 100 milionë euro.

Në Valdebebas, janë të vetëdijshëm se tani është momenti i duhur për të vepruar.

Vitinha ka bërë një hap cilësor këtë sezon nën drejtimin e Luis Enrique, dhe është shndërruar në një lojtar kyç edhe për kombëtaren portugeze.

Real Madrid e ka ndjekur nga afër për muaj të tërë, dhe drejtuesit sportivë besojnë se profili i tij është i përkryer për të nisur një cikël të ri në mesfushë.

“Los Blancos” shpresojnë që përfundimi i Kupës së Botës për Klube të përshpejtojë lëvizjet.

Nëse marrëveshja konkretizohet, Real Madrid jo vetëm që do të sigurojë një nga mesfushorët më premtues të kontinentit, por gjithashtu do të japë një sinjal të fortë në procesin e ristrukturimit të skuadrës.

Me Vitinhën, e ardhmja e mesfushës madrilene duket më e sigurt se kurrë